Ferrari kap një tjetër podium, Red Bull dhe Maks Vershtapen bëjnë ligjin në Arabi
Piloti holandez i Red Bull Racing, Maks Vershtapen, fitoi mbrëmjen e sotme garën e Cmimit të Madh të Arabisë në Formula 1. Ky është suksesi i dytë sezonal për 3 herë kampionion e botës, duke dominuar në pistën e Xhedah.
Ai la pas shokun e tij të skuadrës, meksikanin Serxhio Perez (i dyti), çka konfirmon se makina Red Bull është e pakapshme këtë sezon. Kjo dyshe përsëriti rezultatin e garës së parë sezonale në Bahrein, në një tjetër triumf të dyfishtë, ndërkohë që në podium u ngjit sërish një Ferrari, ai i Sharls Lëklerk (i treti).
Gara ishte emocionuese në pjesën e saj të parë edhe falë hyrjes në pistë të makinës së sigurisë, që solli disa ndryshime në renditje. Gjithsesi, Vershtapen arrin të rimarrë kreun që e humbi për disa xhiro, duke e mbajtur kryesimin deri në fund, madje shkëputur ndjeshëm nga Perez.
Meksikani parakalon Lëklerk në xhirot e para dhe del sërish i dyti, ndërsa ferraristi kënaqet me vendin e tretë, duke lënë pas Oskar Piastri me MekLaren (i katërti). Në vendin e pestë u rendit Fernando Alonso (Aston Martin) e pas tij Xhorxh Rasëll me Mercedes (i gjashti) dhe Olliver Berman me Ferrari (i shtati).
Piloti 18-vjeçar britanik që debutoi në “kokëkuqen” në Formula 1 (zëvendësoi Karlos Sainz, i operuar një ditë më parë) mori pikët e para në karrierën e tij dhe u votua si “piloti më i mirë i garës”. Në zonën e pikëve edhe Lando Norris (MekLaren), Ljuis Hemilton (Mercedes) e Niko Hulkenberg (Has)./Pamfleti