Lajme

Ja kush janë dy hajdutët e arrestuar sot që hapën zjarr ndaj policisë 1 vit më parë

Personat që shihni në foto janë Klodjan Cypi, 37 vjeç dhe Kleotild Bardhi, 32 vjeç, për të cilët policia njoftoi sot arrestimin e tyre.

Të arrestuarit tentuan të grabisnin një banesë në fshatin Prush të Tiranës. Sapo kanë konstatuar policinë, ata kanë hapur zjarr drejt tyre

Gjithashtu, autorët dyshohen të kenë vjedhur një argjendari në Kamëz.

Në foto: Klodjan Cypi

Policia ka sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, krëhra e municion luftarak, një automjet, 8 aparate celulare dhe 3 karta sim, dhe një pajisje GPS.

Në foto: Kleotild Bardhi

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Blind”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, tentativa e vjedhjes së një banese në Prush, ku personat e dyshuar, sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, e më pas janë larguar.

Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Të ndaluarit janë gjithashtu autorë të dyshuar të një vjedhjes së një argjendarie në Kamëz, dhe të një vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.

Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krëhra e municion luftarak, një automjet, 8 aparate celulare dhe 3 karta sim, dhe një pajisje GPS.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blind”.

Si rezultat i tij u ndaluan shtetasit:

– K. C., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,

– K. B., 32 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasit F. T., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit K. C., dhe F. T., më datë 09.12.2023, kanë tentuar të vjedhin në një banesë në fshatin Prush, dhe sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë hapur zjarr ndaj tyre, me armë, dhe janë larguar me një automjet tip “Audi”, në pronësi të shtetasit K. B.

Gjithashtu, dyshohet se këta shtetas janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2023, ku është vjedhur një argjendari në Kamëz, dhe të vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta të çmontuara, të gjetura në banesën e shtetasit K. B., një automjet, 8 aparate celulare dhe tre karta sim, dhe një pajisje GPS.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button