Rrëfimi i Vedat Kokonës: 10 javë në një dhomë me Enver Hoxhën. S’më foli kurrë për politikë, apo për komunizmin! Ai shikonte një vajzë tej dritares së hotelit e më tha…
Një nga intelektualët më në zë të viteve ’30-’40, poet, kritik, përkthyes, botues, pedagog, etj., do të duhej të mbyllej në “guaskën” e tij gjatë diktaturës, duke lënë gjithçka, përveç përkthimit. Ish-shoku i tij i dhomës, Enver Hoxha, e ktheu Shqipërinë në një moçal dhe intelektualët ose do të zhdukeshin, ose do të përpiqeshin të mbijetonin, duke bërë kompromise. “Kompromisi” që bëri Vedat Kokona, ishte të hiqte dorë nga të gjitha ato veprimtari që kishte bërë dikur, duke iu dedikuar vetëm përkthimit dhe hartimit të fjalorëve. Por, ama, kujtimet nuk i mori me vete. I shkroi e tashmë po publikohen nga botimet “Kokona”
Mes kujtimeve të jetës së tij, që nga fëmijëria e deri tek ato profesionale, titulluar; “Endur në tisin e kohës”, Kokona tregon edhe për Enver Hoxhën, njohjen me të, kohën kur ndanë qiranë për dhjetë javë në Korçë, ku të dy jepnin mësim në Liceun Francez, për t’u ndalur më tej, në mendimet që me gjasë, do të kishte dashur t’ia thoshte në sy, por nuk mundi. “Lexuesi nuk do të gjejë këtu ngjarje të jashtëzakonshme. Bëma heroike. Do të gjejë vetëm disa ngjarje, nga ato me të cilat endet tisi i kohës, ngjarje nëpër të cilat, kaloi vendi im bashkë me mua, gjatë tetëdhjetë vjetëve”, shkruan Kokona.
Më poshtë, po shkëpusim pak faqe nga libri me kujtime, i një prej njerëzve më të shquar të letrave shqipe.
Kujtimet e Vedat Kokonës, nga libri “Endur në tisin e kohës”!
U nisa për në Korçë, në mëngjes të 14 prillit. Shkoja, këtë radhë, si “profesor” në atë lice ku, katër vjet më parë, isha ende “student”. Meqë isha nisur herët në mëngjes, në Korçë arrita aty nga ora pesë pasdreke, lashë valixhen në shtëpinë e dajës, Vehipit dhe, para se të shkoja të zija me qira dhomën, ku kisha banuar dikur në Korçë, vajta në kafenë ‘Mazhestik’, që ishte edhe kinemaja më e madhe e qytetit, pranë kishës së Vllehve.
Koha ishte e ngrohtë dhe tavolinat i kishin nxjerrë jashtë. Atje takova disa shokë të vjetër të Liceut, Fejzi Dobin, Fejzi Dikën, Enver Hoxhën dhe Serafimin, profesorin tonë të Shkencave të Natyrës, që i pëlqente të rrinte me Gaqo Gogon. Në altoparlantin e vendosur në një shtyllë përballë, kumbonte zëri i bukur i Rina Ketit, një këngëtareje që e qante këngën aq të ëmbël, “J’attendrai. Le jour et la nuit…”!
Enveri më pyeti se ku do të banoja. I thashë atje ku kisha banuar, kur isha student. Më tha se, po të doja, mund të vendoste një shtrat në dhomën e vet, në shtëpinë e Poliksenit, përballë liceut, gjë që ishte në dobi të të dyve, mbasi mund të ndanim qiranë, përgjysmë. Propozimi i tij, m’u duk i arsyeshëm dhe e pranova pa ngurruar. Mora valixhen nga shtëpia e dajës dhe u vendosa në dhomën e Enverit. Shtrati i këtij, ishte pranë derës, i imi përballë, te këndi. Dhoma kishte dy dritare, kundruall, ishte shtëpia e familjes Lako. Vajza e kësaj shtëpie, siç mësova më vonë, ishte nxënëse në lice.
Që natën e parë të banimit tim në dhomën e tij, – ishte hera e dytë që flinim bashkë në një dhomë, herën e parë në Paris, afro dy vjet më parë, kur e kisha strehuar dy net me radhë, ngaqë ishte ngushtë ekonomikisht, – tisi i afrisë sonë, sikur u hollua shumë. Më tha; me ç’guxim kisha marrë përsipër, një detyrë të tillë, – të zëvendësoja De Kurvilin në kursin e letërsisë franceze, në klasën e lartë të liceut, kur vetë Selman Riza, nuk do ta pranonte një gjë të tillë. I thashë se isha i vetëdijshëm, për rëndësinë e kësaj barre, por, si ish-nxënës i De Kurvilit, dhe jo i keq në frëngjisht, me punë, do mundohesha ta kryeja disi, këtë detyrë të vështirë.
Kuvendi i asaj nate mori fund me kaq dhe ramë e fjetëm. Në mëngjes, kur u zgjova, e pashë Enverin që qëndronte në këmbë përpara dritares, duke shkuar pëllëmbën flokëve. U ngrita pak dhe, me bërrylin e djathtë të mbështetur te jastëku, vështrova nga dritarja ime, në drejtim të vështrimit të tij. Në ballkonin e shtëpisë përballë, stolisur me saksi lulesh, kishte dalë një vajzë e re, me fytyrë të qeshur, që i ndrinte në rrezet e diellit të mëngjesit.
Është e kolme, – më tha. – Është nxënësja ime”.
Hëngra mëngjesin dhe vajta në lice, që ishte aty afër, te drejtori. Drejtor ishte Kostaq Cipoja, ish-profesori im i shqipes, gjatë pesë vjetëve. Më priti shumë mirë dhe sjellja e tij, më dha zemër në kryerjen e detyrës së vështirë që kisha marrë përsipër. Kisha kursin e letërsisë franceze, në Seconde dhe Premiere. E dija ç’mal kisha përpara, por me vullnet, durim dhe sidomos me punë, do të mund ta ngjitja këtë të përpjetë që më priste.
Një nga studentët që më bëri shumë përshtypje, ishte Kristaq Tutulani, hartimin e të cilit, e kisha çmuar me notë të lartë. U thashë studentëve, se nuk isha profesor me “titull”, por “malgre lui”, për të zëvendësuar atë që ishte shumë më i zoti se unë në këtë detyrë, por, por, se, me punë dhe me ndihmën e tyre, – atyre u erdhi mirë nga këto fjalë, – do bënim si të bënim, për t’i mbyllur “me nder”, këta dy muaj e gjysmë që kishin mbetur, deri në fund të vitit shkollor.
Një ditë para se të linin Shqipërinë profesorët francezë, drejtoria e liceut u shtroi një darkë lamtumire, në hotelin “Pallas”. Me sa më kujtohet, në këtë darkë ishin profesorët francezë, me drejtorin teknik të liceut, De Kurvilin, Kostaq Cipoja, Ligor Serafimi, Selma Riza, Fejzi Dika, Enver Hoxha dhe unë. Fjalën e lamtumirës, e mbajti Selman Riza, ish-nxënës i shkëlqyer i këtij liceu dhjetë vjet më parë dhe tani, profesor po aq i shkëlqyer i frëngjishtes.
Fjalimi i tij, në një frëngjishte të përkryer, u prit me admirim nga të gjithë, sidomos nga De Kurvili, i cili tha se duhej të matej mirë, për t’iu përgjigjur ashtu si duhej këtij fjalimi të bukur të Rizës. Ne, që e njihnim prej kohësh, mburreshim për këtë arsimtar të rrallë, që na zbardhte faqen. Enveri, që s’kishte si të matej me të, e futi në burg, për të vetmen arsye; se ishte shqiptar dhe jo komunist.
Pas nja dy ditësh, kisha kursin e letërsisë së Premiere. Do të flisja për “Mizantropin” e Molierit. Kisha sjellë nga Tirana Lansonin, librin e vëllimshëm të letërsisë franceze dhe Levrault, librat e mi të preferuar, që në vitet kur i studioja vetë si nxënës. Me të vajtur në dhomë pas darke, u ula në tavolinën që, me sa dukej, do të më hynte vetëm mua në punë, ngaqë Enveri nuk ulej kurrë atje dhe iu shtrova punës. Enveri, siç e kishte zakon, shkonte e vinte nëpër dhomë, me duar në xhepa. Njëherë m’u afrua dhe, ashtu shtruar siç qe, më tha: “Qenke punëtor i madh”!
“E do puna”, – i thashë dhe vazhdova punën. Mbaj mend që ankohej, për këmbën që i dhimbte. Kishte edhe një bastun, që e përdorte nganjëherë.
Një pasdreke, iu vura punës për të korrigjuar hartimet e nxënësve. Ishin nja 20 hartime për t’u korrigjuar dhe nga katër faqe tabakë letre për secilin, më priste një punë e madhe. Në faqet e çdo hartimi, duhej të bëja vërejtjet e mia me shkrim dhe kjo s’ishte punë e lehtë: nxënësit ishin mësuar me shënimet e De Kurvilit, të profesorit francez që ishte i degës dhe jo njeri dosido. Rrija më shumë se dy orë me një hartim dhe Enveri, që vinte rrotull nëpër dhomë, më tha: “Paske durim të madh! Mjafton të hedhësh një sy dhe të vesh notën që meriton secili”. “Një fjalë goje”, i thashë dhe vazhdova punën.
Gjatë atyre dhjetë javëve që banuam bashkë, nuk e pashë kurrë të punonte. Jepte mësim morali, në klasat e ulëta të liceut, lexonte me orë romanin; “Voyage au bout de la Nuit”, të Ferdinand Celinit. Nuk më foli kurrë për politikë, pa le për komunizmin. Të ishte komunist, si adept i një doktrine, për të cilën të tjerët vajtën në Spanjë për të luftuar, do të përpiqej të më bënte për vete, një neofit të këtij besimi, sepse s’kish frikë, se mund ta kallëzoja.
Kam qenë me të, deri në gjysmën e vitit ’40. Jam më se i sigurt, që s’kish deri atëherë në kokë, ato ide të mbrapshta që do ta ngrinin shumë, katër vjet më vonë, në ato lartësi marramendëse, nga u dha munxa atyre që i kishin dhënë të hante dhe nga hodhi në greminë të afërmit, shokët dhe sidomos vendin, që i kishte hapur sytë.
Ia vlen, më duket, të ndalem sadopak te kjo figurë, që është për mua një sfinks, ndanë piramidës së ndërtuar me eshtrat e atyre që vrau: te ky njeri që u bë ai që u bë dhe që s’do të bëhej, sikur punët të mos bëheshin, ashtu siç u bënë. Më se një herë kam vrarë mendjen, për të zbuluar të fshehtën e një jete që i kushtoi vendit, qindra mijëra vdekje; më se një here, kam thënë me vete; kur populli i shkretë, që s’e njihte ashtu si e njihja unë dhe ata pak gjirokastritë të Liceut të Korçës, duartrokiste dhe brohoriste për të kur dilte në tribunë, kur salla ngrihej në këmbë, histerike, tragji-komike dhe bërtiste e çirrej si çakej të uritur, kur disa, të dobët nga mendja dhe ca më shumë nga morali, derdhën lot për mortjen e tij, ashtu si kishin derdhur edhe për xhelatin tjetër aziatik, – më se njëherë kam thënë me vete:
“Si është e mundur që ai, një nxënës nga ata mesatarët e liceut, të shkojë për të studiuar në Francë, për shkencat e natyrës, me bursë (tjetër enigmë, sepse bursë u lidhje vetëm nxënësve të shkëlqyer)- të mos jetë i zoti, të kryejë studimet, të mos japë provimet, t’i presin bursën, të bëhet një mësues i dobët dhe, më vonë, një burrë shteti i përmendur dhe që do ta marrë historia”?! E kam njohur të urtë, gaztor, fytyrëqeshur dhe si u bë ashtu, si u bë i egër, ogurzi, përbindësh?!
Në ç’lartësi mendjemadhësie dhe marrëzie, e ngritka njerinë, këtë “kallamin më të dobët të natyrës”, pushteti i nëmur, i urryer, që pjell sulltanë e Neronë, tiranë e despot, këta përbindësha që hynë në histori, për atë gjak që derdhin? Një nga këta është, pa dyshim, edhe ky, që e hodhi vendin në greminë. Merreni me mend sikur Perëndia, ta kishte dërguar në këtë tokë të bukur, që ndrit si perlë buzë Adriatikut dhe Jonit, si i dërgoi Turqisë buzë humnerës, Ataturkun e madh!
Vinte nga mali me një ushtri të përgatitur mirë, me një disiplinë të fortë, në lulen e moshës, kur vendi ishte në një pështjellim të madh, kur komunistë, ballistë, zogistë, fashistë, nazistë, ishin përleshur dhe kishin derdhur gjak vëllavrasës, por tani këta të tre të fundit, nuk ngrinin më peshë; në fuqi tani ishin vetëm komunistët. Me pak tru dhe me pak njerëz të zgjedhur, – se ky vend i vogël, s’ka nevojë për shumë, – për me dashuri për vendin dhe me shumë vullnet të mirë, në marrëveshje me Perëndimin, ky vend, mund të hynte në marrëveshje me Perëndimin, ky vend, mund të hynte në udhën e demokracisë dhe, në vend që të merrte atë kthesë që e hodhi në greminë, mund të merrte kthesën tjetër, që ta kthente në lartësitë e ndritura.
Por ai zgjodhi pikërisht atë udhë që ia ndalonte arsyeja, por që ia kërkonte dhe lejonte kotësia. Bëri diçka të mirë, që nuk do ta bënin dot aq shpejt qeveri të tjera, që mund të vinin: jo arsimimin, – sepse këtë e kishte bërë para tij dhe më mirë Zogu, -jo elektrifikimin, -që do të bëhej në çdo qeveri, – por që e vuri popullin të punonte: u bënë shumë punë të mira: u thanë moçale, u hapën kanale, – gjëra që do të bëheshin edhe nga të tjerët, vërtet pak më vonë, por jo me kërbaçin e kampit të Maliqit dhe me vdekjen e të burgosurve, – u ngritën hidrocentrale, po edhe bunkerë, që të kallin tmerrin kur i sheh; populli kishte vërtet qetësinë e Zogut, por s’kishte drejtësinë. Humbi nocioni i së drejtës, i pronës së shenjtë, i atributit “njeri”.
Njeriu s’ishte më njeri, u kthye në një qenie amorfe, pa karakter, pa ideal; arriti deri në atë pike, sa të urrejë vendin e vet! Jo vetëm ta urrejë, por edhe ta mallkojë! Në një kohë kur palestinezët luftojnë për një pëllëmbë tokë, në shkretëtirën e Judesë, “njeriu i ri”, lë vendin e vet të bukur dhe shkon e lyp kafshatën e gojës, duke trokitur në derën e të huajit, që e pret me përbuzje.
Shqiptarin që e kanë admiruar dikur të huajt e mëdhenj, e pështyjnë sot bastardët, që s’janë aspak më të pastër se ata horra, që, për të marrë një vizë të qelbur, shesin nderin dhe atdheun. Shqiptari vërtet mërgohej nga vendi i vet, por mërgohej si zotni dhe, pasi punonte disa vjet, kthehej si zotni dhe jo i përzënë me shkelm në prapanike. Mërgimi ishte derë-çelë në kohën e “tiranit” Zog, kur mund të shkoje dhe ku të doje, në të gjithë botën. Por ai, i ligu, e mbylli këtë vend në një bodrum të fëlliqur, në një kënetë të ndotur, ku krokasin natë e ditë, bretkosa të mjera.
Afro gjysmë shekulli në errësirë, në këllirë, me mashtrime, gjurmime, pushkatime, internime, spiunime, kur bije në shtrat me frikë dhe ngriheshe me frikë; kur të dridhej zemra kur binte porta; kur prisje më gjak të ngrirë, – kur jepeshin triskat e Frontit, – se mos nuk përmendej emri yt, në listën e të “zgjedhurve”, – se kjo triskë që s’të hynte fare në punë kur e kishe, të prishte shumë punë, kur s’e kishe, që të merrte në qafë jo vetëm ty që s’e kishe, por gjithë familjen; kur bëheshin mbledhjet e lagjes, ku duhej të flisje dhe të thoshe ato që s’doje t’i thoshe; kur ngriheshe në tre të natës, për të zënë radhën për të blerë një kile mish, me krimba të rreshkur dhe të rrëgjuar në frigoriferët për shumë vite, ose dy shishe qumësht, duke pritur jashtë në shi, deri sa të vinte shitësja, kur suleshe për të zënë radhën e gjizës; kur ktheheshe në shtëpi duarzbrazur, se s’kishte më qumësht, pasi kishe pritur me orë…!
Cila pendë, cili penel, cila simfoni, do të jetë vallë në gjendje të japë atë tablo mjerimi, që e kaploi popullin e mjerë dhe e ktheu në një kope të bindur, të uritur, të poshtëruar?!
As Katilinat a Kaligulat, s’kanë si i qasen atij që mbajti në skllavërinë më përbindëshe, tre milionë varfanjakë, afro gjysmë shekulli! Brezat që do të vine, s’do të besojnë që në mes të shekullit të XX-të, kishte një vend në Europë, që nuk e zinte dielli, ku dita ngrysej e gdhihej, në errësirën më të thellë të shekujve.
Ç’qe kjo gjëmë dhe kjo nëmë që të zuri, o moj Nënë?! Cila zanë të pat shitue në këtë mënyrë? Ja, këto mendime më vijnë sot, një ditë të bukur fund-gushti, këtu në Piqerasin e Bregut, me atë ujë të bruztë dhe të kulluar si lot i syrit, që do ta kishte zili edhe ai i brigjeve më të përmendura të rruzullit, po ta shihte edhe të punuar nga dora e njeriut! Kam parë shumë vende të bukura të Europës dhe të Anglisë.
Që në moshën e rinisë, pashë Riminin, Venecian, Stokholmin, liqenin e Komos, gjirin e Napolit, Sorenton dhe Iskian. I bukur do të jetë me siguri edhe bregu i përmendur i Kalifornisë apo, Gjiri i Rio de Janeiros. Por, po aq i bukur është edhe Ksamili ynë, që, ndonëse i zhveshur siç është tani, shkëlqen në tërë lakuriqësinë e tij kaltërore. Dhe një ditë, kur atje të jetë jeta, kur varkat me vela do të vozisin në ujërat e kristalta, kur brigjet të nanurisen në pllaquritjen e valëve të Jonit, ata që do të shkrihen atje duke u thekur në diell, do të më kujtojnë dhe do të më japin të drejtë. Memorie.al