Prej 9 vitesh në Itali, rrëfimi i Klaudia Pepës: Kishte paragjykime, por talenti më ka ndihmuar
Balerina e njohur Klaudia Pepa, prej 9 vitesh jeton në Itali, mirëpo fillimet e karrierës nuk kanë qenë aq të lehta, por me talentin e saj ka arritur të kapërcejë çdo pengesë.
Në një intervistë, Pepa ka thënë se karriera e saj në Itali nisi me “Amicin”, ndërsa tani përveç baletit, artistja shqiptare po eksperimenton dhe në fushën e aktrimit dhe prezantimit.
Gjithashtu, ajo shprehet se i pëlqen të jetojë në Itali, por nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit në Shqipëri.
Pyetje: Sa vite t’u bënë që jeton në Itali?
Klaudia Pepa: “Rreth 9 vite gjithsej”.
Pyetje: Si shkove në Itali?
Klaudia Pepa: “Shkova për të bërë audicionin e “Amcit” dhe aty pastaj filloi jeta ime deri tani”.
Pyetje: Sa i vështirë ka qenë integrimi në Itali?
Klaudia Pepa: “Ka qenë pak i vështirë edhe sepse në fillim nuk isha shumë e mbështetur, por që besoj se talenti më ka ndihmuar. Ndoshta ishte aq i fortë saqë njerëzit mendonin më shumë talentin dhe vlerësohesha për të se sa nga vija unë”.
Pyetje: A kishte paragjykime?
Klaudia Pepa: “Po, kishte paragjykime, por besoj se e kapërceva si periudhë dhe si fakt. Tani jam e stabilizuar mirë. Jemi duke bërë projekte shumë të bukura dhe përveç baletit jam duke eksperimentuar si prezantuese, si aktore, kam bërë disa filma, 3 filma deri tani: 2 filma në role të vogla dhe një tjetër si protagonist”.
Pyetje: Të mungon Shqipëria?
Klaudia Pepa: “Më mungon shumë, kthehem herë pas here në Shqipëri, shkoj dhe shpesh në jug me familjen timë në jug, para dy vitesh shkova dhe në mal, në Tropojë”.
Pyetje: A e sheh rikthimin në Shqipëri?
Klaudia Pepa: “Më pëlqen të jetoj në Itali, por do të doja shumë të bashkëpunoja në Shqipëri”./albeu