Marrëveshja sekrete me Ferrarin, Hamilton: As prindërit e mi nuk e dinin
Shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton kujton negociatat me skuadrën e Maranelos: “Ndihesha ende i motivuar për të garuar.
M’u desh vetëm të ndiqja instinktin tim dhe vendosa të shfrytëzoj rastin.
Por para se të firmosja nuk fola me askënd për negociatat, duhej të mendoja”, ka thënë sërish britaniku që këtë sezon do jetë pjesë e Mercedes dhe prej 2025 do garojë për “Kokëkuqen” e Ferrarit.
Marrëveshja mes Lewis Hamilton dhe Ferrarit për vitin 2025 ishte padyshim surpriza e madhe në fillim të vitit.
Por transferimi i bujshëm nga Mercedes nuk tronditi vetëm F1 . Madje, as familja e britanikut, shtatë herë kampion bote, nuk ishte në dijeni të negociatave.
Familjarët e Hamilton mësuan për kalimin te Ferrari kur operacioni u përfundua me sukses.
Vetë Hamilton e zbuloi këtë duke folur në “F1: Kthehu në Bazë”, një podcast i ri i krijuar nga BBC.
“Unë nuk i thashë askujt për Ferrarin. Nuk u thashë prindërve të mi deri në ditën kur u njoftua.
Kështu që askush nuk e dinte”, tha ai fillimisht.
Një sjellje e diktuar nga delikatesa e vendimit.
Lewis preferoi të shmangte gjendjen emocionale, duke qenë se prej 2012 është pjesë e Mercedes.
“Unë me të vërtetë doja ta bëja për veten time.
Ndjeva se duhej të gjeja se çfarë do të ishte më e mira për mua”, tha Hamilton./OraNews