I diplomuar për Arte, 24-vjeçari shqiptar arrestohet në Angli në “shtëpi bari”. Ja sa është dënuar
Një 24-vjeçar shqiptar, është vënë në pranga nga policia britanike pasi është gjetur duke kultivuar kanabis në një banesë në zonën e Durhamit në Angli.
Sipas mediave britanike, aktivitetet e tij dolën në dritë për shkak të një kontrolli rutinë të pronës nga një agjent imobiliar.
Prokurori tha se i pandehuri u gjet në papafingo, ku po kultivohej kanabis, si dhe në dy dhoma gjumi në katin e sipërm, ku kishte edhe pajisje të ndryshme kultivimi.
24-vjeçari u deklarua fajtor si për prodhimin e një droge të klasit B dhe për vjedhjen e energjisë elektrike kur u paraqit para gjykatësve më 19 janar.
Avokati i tij ka deklaruar se i riu kishte përfunduar shkollën e lartë të nivelit Bachelor në Arte dhe menaxhim marketingu, dhe se nuk ishte në gjendje të gjente punë në vendin e tij të lindjes.
Sipas mbrojtësit të shqiptarit, ai kishte shkuar në Britani në mënyrë të paligjshme dhe ishte vendosur në ‘shtëpi bari’ për të shlyer borxhet ndaj trafikantëve të tij.
24-vjeçari është dënuar me 14 muaj burg, duke përfituar nga ulja e dënimit me 21 muaj, pasi pranoi fajësinë./panorama