Bota

SHBA vendos veton ndaj projekt-rezolutës së vendeve arabe për armëpushim në Gazë

Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të OKB-së të mbështetur nga vendet arabe që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës.

Votimi i të martës në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, përfundoi me 13 vota pro propozimit të Algjerisë, një kundër dhe abstenimin e Britanisë, duke reflektuar mbështetjen e gjerë globale për përfundimin e luftës.

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield kishte thënë që më parë që SHBA do të bllokonte rezolutën, pasi ajo mund të pengonte përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të arritur një marrëveshje mes palëve, që do të sillte të paktën një pauzë gjashtëjavore të luftimeve dhe do të lironte të gjithë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit.

Në një lëvizje të papritur përpara votimit, Shtetet e Bashkuara qarkulluan një rezolutë rivale në Këshillin e Sigurimit që do të mbështeste një armëpushim të përkohshëm në Gazë.

Projekt-rezoluta amerikane, tekstin e së cilës e ka siguruar agjencia e lajmeve Associated Press, parashikon një armëpushim të përkohshëm “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe kërkon lirimin e të gjithë pengjeve që u morën gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, si edhe bën thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve në dërgimin e ndihmave humanitare.

Sipas propozimit amerikan, të dyja këto veprime “do të ndihmonin në krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve”, siç kërkohet në një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit më 22 dhjetor.

Po ashtu, në këtë propozim bëhet thirrje që “të mos vazhdojë në rrethanat aktuale” ofensiva e planifikuar nga Izraeli në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë.

Sipas projekt-rezolutës amerikane zhvendosja e mëtejshme e civilëve, ” përfshirë ndoshta në vendet fqinje”, një referencë për Egjiptin, do të kishte pasoja serioze për paqen dhe sigurinë rajonale./Associated Press

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button