Vendi

Berisha flet nga shtëpia dhe nis ‘fushatën’ elektorale, Rama në Turqi. Ç’ndodhi në 2 orë e gjysmë protestë para Kryeministrisë

Pas më shumë se dy orësh, është mbyllur protesta kombëtare e thirru nga opozita, e cila u mbajt para Kryeministrisë, nën thirrjen ‘Rama ik’.

Ndërkohë që kreu i qeverisë ditën e sotme ndodhej në Turqi, në një vizitë zyrtare, ku u firmosën 6 marrëveshje mes dy shteteve.

Protesta nisi në orën 17:30, ku pas grumbullimit të mbështetësve të opozitës, në podium u ngjitën disa nga deputetët dhe ish-deputetët e PD, si dhe aktivistë.

Përmes një video-konferencë nga banesa, nën masën e arrestit të shtëpisë, protestës iu ‘bashkua’ edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili mbajti një fjalim të gjatë.

Ndër të tjera Berisha bëri thirrje për vazhdimin e këtij aksioni deri në rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti, duke bërë edhe premtime, duke çelur në një mënyrë edhe fushatën elektorale.

Protesta përgjithësisht ishte e qetë, teksa në përfundim të saj u shënuan disa incidente të vogla, ku disa prej protestuesve hodhën flakadanë dhe tymuese drejt derës së kryeministrisë, si dhe rrëzuan barrierat metalike, duke tentuar që t’i afrohen kordonit të policisë.

Për këtë, pati edhe dy të shoqëruar në komisariat.

Pas përfundimit të protestës Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe deputetët e tjerë, iu drejtuan selisë së Rithemelimit.

Protesta e opozitës, përditësimi orë pas ore:

17:30- Është shënuar orari zyrtar i nisjes së protestës kombëtare të opozitës, e paralajmëruar disa ditë më parë, duke nisur marshimin.

Përpara Kryeministrisë janë mbledhur qindra qytetarë dhe zyrtarë e përfaqësues të opozitës. Siç kanë deklaruar edhe më herët zyrtarë të opozitës, kjo protestë parashikohet të jetë paqësore.

Kujtojmë se kreu i qeverisë Edi Rama ndodhet sot në Turqi, në një vizitë zyrtare.

17:45- Deputetë e PD të udhëhequr nga Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, kanë dalë nga selia e Rithemelimit dhe po i bashkohen protestuesve para Kryeministrisë.

17:55- ‘O sot o kurrë’, me flamuj të Shqipërisë dhe të PD-së, qytetarë të shumtë mblidhen në shesh

18:08– Luçiano Boçi merr fjalën i pari në podium: Ta luftojmë këtë regjim me pasionin e Berishës, me forcën e rinisë

18:13- Aktori i njohur Mehdi Malko i bashkohet protestës së opozitës, përlotet sapo ngjitet në podium: Kam vetëm një kërkesë për ju sot…

18:15- Jorida Tabaku i bashkohet protestës së opozitës

18:23– Flamur Noka: Rama përdori McGonigal për të shpallur non grata Sali Berishën, nuk e njohim më për kryeministër

18:38- Gazment Bardhi mban fjalën në podium: Në kulla pastrohen para, Rama mbjell frikë. Shqipëria do bëhet vend i mundësive

18:40- Albana Vokshi flet para protestuesve: Në çdo tryezë që ulet, Rama shet një copë nga Shqipëria, vendi jonë është në rrezik, po shitet si plaçkë lufte

18:49- Sali Berisha i ‘bashkohet’ protestës  mesazh me Skype: Uragani juaj është uragani i lirisë. Rama e ktheu vendin si Rusia e Putinit

19:14- Protesta kombëtare e PD-së, në shesh dhe fëmijët e Sali Berishës

19:28- Berisha mbyll fjalën: Rama si Pashiçi, Shqipëria do mbetet pa shqiptarë

19:29: Flakë para Kryeministrisë, pas mbylljes së fjalës së Sali Berishës, protestuesit hedhin flakadanë

19:35- Protestuesit rrëzojnë barrierat metalike para Kryeministrisë, i afrohen kordonit të policisë

19:53- Është mbyllur protesta kombëtare e opozitës, e cila nisi në orën 17:30, dhe u mbajt para Kryeministrisë./bw

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button