Aksident i rëndë nëntokë, plagoset minatori në Bulqizë
Një tjetër aksident i rëndë është shënuar këtë të premte në galeritë e kromit në minierat e Bulqizës.
Sipas policisë ngjarja është regjistruar në një galeri në Martanesh ku 50 vjeçari Agim Truka me detyrë brigadier është plagosur rëndë në këmbë dhe në shpatullën e majtë nga një masiv shkëmbor.
50 vjeçari është paraqitur fillimisht për ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bulqizës ndërsa është kërkuar ndihmë për transportimin me helikopter drejt Traumës, por që momentalisht është thënë që nuk është në dispozicion.
Grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes ndërsa pritet që të shkojnë edhe ekspertët Agjencisë Kombëtare Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera si dhe inspektorët e Inspektoriatit Kombëtar të Punës për të verifikuar nëse janë zbatuar rregullat e sigurimit teknik në punë gjatë momentit të aksidentit./OraNews