Erdogan viziton Egjiptin për herë të parë pas 12 vitesh
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka vizituar Egjiptin për herë të parë pas 12 vitesh.
Presidenti turk dhe bashkëshortja e tij, Emine, mbërritën në Kajro me një avion privat nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u pritën ngrohtësisht, me një ceremoni zyrtare, nga presidenti egjiptian Al Sisi.
Erdogan u shoqërua nga Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, Ministri i Financave Mehmet Simsek, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yasar Guler, Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca dhe Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Katsir.
Në takimin e dy liderëve, përveç marrëdhënieve dypalëshe, u diskutua edhe për situatën në Gaza, Mesdheun Lindor, Libinë dhe Sirinë.
Marrëdhëniet Egjipt-Turqi, të cilat kanë hyrë në një periudhë stagnimi prej kohësh, konsiderohen të rëndësishme për stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit, thonë zyrtarët e qeverisë turke./albeu.com