Franca dhe Polonia rivendosin marrëdhëniet dypalëshe
Gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris, kryeministri i ri, pro-evropian i Polonisë, Donald Tusk tha se të dy vendet duan të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre.
“Për këtë qëllim është duke u përgatitur një marrëveshje e re mes dy vendeve”, tha Tusk.
“Edhe një herë, dua të shpreh miqësinë dhe kënaqësinë tonë që ju shohim këtu sërish, si partnerë të besueshëm, pro-evropianë, të cilët janë të qartë për sigurinë evropiane dhe sfidat tona kryesore”, tha Macron duke iu drejtuar Tusk.
Tusk tha se donte të fillonte mandatin e tij si kreu i qeverisë së Polonisë duke rivendosur sa më shpejt marrëdhëniet me partnerët kryesorë evropianë.
Ai tha se se qëndrimet e Francës dhe Polonisë ishin shumë të ngjashme në këto kohë të vështira, duke përfshirë çështjet gjeopolitike dhe të sigurisë.
“Evropa duhet të bëhet një kontinent i sigurt dhe kjo do të thotë se Bashkimi Evropian, Franca dhe Polonia duhet të bëhen shtete të forta të gatshme për të mbrojtur dhe mbështetur kufijtë dhe territorin e tyre”, tha Tusk.
Tusk tha se ishte absolutisht e nevojshme për të krijuar atë që ai e quajti një plan MEGA për një Evropë të sigurt, për sigurinë evropiane.
Tusk e përktheu akronimin MEGA si “Make Europe Great Again”, duke i bërë jehonë sloganit të famshëm të fushatës “Make America Great Again” të përdorur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili po bën fushatë për të rifituar presidencën.
“Do të doja që sot t’i dërgojmë një sinjal të përbashkët Evropës dhe gjithë Perëndimit se jemi të gatshëm të tregojmë solidaritet të plotë në të gjitha situatat, madje edhe në ato më të vështirat”, tha Tusk/bw