Ankandi i Elton John/ 900 sende personale të legjendës së Pop-it dalin në shitje
Pasi ka përmbyllur karrierën në mënyrën më të suksesshme vitin e kaluar, legjenda e gjallë e muzikës pop, Sir Elton John ka nxjerrë në ankand 900 sende të tij personale
Veshje shumëngjyrëshe, këpucë, syze, piano e tij shumë e lakmuar, fotografi dhe qindra kujtime të tjera të legjendës së muzikës, Sir Elton John tashmë kanë dalë në ankand në New York.
Sendet personale të 76-vjeçarit që i ka përdorur gjatë viteve në skenë janë të disponueshme edhe online, ndërsa shitjet bëhen në fund të muajit.
Shtëpia e ankandeve “Christie’s”, ka publikuar të premten 900 artikujt, që pritet të kapin vlerën e më shumë se 10 milionë dollar.
Një makinë “Bentley” dhe makineria e lojërave “Pinball” përfshihen gjithashtu për bamirësi në ankandin e quajtur “Goodbye Peachtree Road”.
Ky është ankandi i tij i parë pas 21 vitesh, ndërsa artikujt janë nga shtëpia në Atlanta, që këngëtari e shiti pasi përmbylli karrierën me turneun e fundit.
Këngëtari e bleu pronën në vitin 1992 dhe ajo luajti një rol të rëndësishëm, pasi u bë pika e tij e qetësimit pas çdo turneu në SHBA.
Sir Elton John e shiti rezidencën dykatëshe për 7.2 milionë dollarë vitin e kaluar.
Shfaqjen e fundit të lamtumirës, ylli i muzikës “Pop” e luajti korrikun e kaluar në Suedi, që shënoi koncertin e tij të 330 në turneun e nisur prej 2018 të titulluar “Farewell Yellow Brick Road”./OraNews