Vendi

Kaq vlen jeta në Shqipëri, sa paga e një roje nate!

Nga: Anisa Zhuri

E dhimbshme të mendosh se sa vlen jeta në Shqipëri, në një vend kaq të vogël, ku çdo ditë flitet për ndryshime dhe përmirësime të kushteve të jetesës, priren të besohen nga shumica deri në momentin që dëgjojmë një lajm të tillë.
“Një 63- vjeçar helmoi veten pasi e kishin hequr nga puna, si roje e një shkolle”. A nuk është e dhimbshme?! Më shumë se sa kaq!

Pak u fol për Hysen Lamon, burrin zotëri që punonte prej shumë vitesh me devotshmëri si roje shkolle e për dy vite dilte në pension, ashtu si dhe për shumë të tjerë si puna e tij, që profesionin e kanë të shenjtë deri në vetmohim. Vetëm në këto raste e kupton që asgjë nuk është e sigurt dhe jeta është vetëm një fije peri, edhe pse “cepi i Shqipërisë” mund të jetë vetëm 5 km larg qendrës së një qyteti ku jeta duket e gjallë dhe gëlon. Ato mbulohen me një fjalë të mirë e premtime që ndoshta nuk mbahen kurrë, me një rrogë mujore 20.000-30.000 lekë që praktikisht i bie 1000 lekë në ditë, një vlerë që ndonjëherë nuk të mbulon as 3 vaktet bazike të ushqimit.
E përsëri të gjithë e nisin dhe e mbyllin ditën me shprehjen shpresëdhënëse “mirë që kemi një punë”.

Hysen Lamo punonte si roje në shkollën e fshatit Kuman, në afërsi të qytetit të Fierit, ku mundësitë e punësimit nuk janë shumë të mëdha. Shumica jetojnë duke punuar tokat, duke rritur prodhimet e në përfundim, i gjithë mundi i një sezoni kalbet në kanalin më të afërt pasi janë të pakta prodhimet që shiten. Çfarë të qash më parë, investimet e fillimit për të cilat duhet të sakrifikosh shumë gjëra të tjera sepse stina nuk pret, mundin e një sezoni të tërë pavarësisht kushteve të motit, apo xhepat që nuk mbushen edhe pse prodhime ka me shumicë?

E për fat të keq ku më shumë e ku më pak, ky është realiteti. Kjo është një histori që thelbin e ka të njëjtë për të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në fshat. Cila është pasoja? Të punojnë ditë dhe natë, ditën tokën, e natën roje. Nëse tek të dyja dështon, përfundimi është fatal. Një psikologji e dobët, me shqetësimin e madh se si mund të ushqesh familjen, përfundon e njëjtë si Hysen Lamo. Ai u largua, por kjo nuk do të thotë se jeta e familjes u sigurua, përkundrazi akoma një problem më i madh rëndon mbi supet e tyre.

Në këto kushte natyrshëm të lind pyetja “Sa vlen jeta në Shqipëri?”, e trishtë për t’u thënë, por realiteti tregon se është e vërtetë, “sa rroga e një roje nate”./LIVING

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button