Do t’i publikonte fotot intime një gruaje nëse nuk i jepte para, arrestohet 42-vjeçar i shpallur në kërkim për kanosje
Policia e Vlorës ka kapur dhe arrestuar 42-vjeçarin Adion Xhuveli, i cili akuzohet se ka kërcënuar një 45-vjeçare se do t’i publikonte fotot intime.
42-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Në vitin 2021, ai ka kanosur një shtetase 45 vjeçe, se do t’i publikonte foto personale të saj, nëse ajo nuk i jepte një shumë parash.
Kapet dhe vihet në pranga një 42-vjeçar në kërkim, i dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum kapën dhe vunë në pranga shtetasin: Adion Xhuveli, 42 vjeç, banues në Orikum.” – njofton policia.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka dënuar këtë shtetas, me 1 vit e 3 muaj burgim, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, pasi në vitin 2021, ka kanosur një shtetase 45 vjeçe, se do t’i publikonte foto personale të saj, nëse ajo nuk i jepte një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./OraNews