Protestuesit izraelitë bllokojnë sërish kamionët me ndihma për në Gaza
Qindra protestues izraelitë të dielën bllokuan kamionët me ndihma për në Gaza përmes kalimit Kerem Shalom, duke kërkuar që pengjet e mbajtura në Gaza të lirohen përpara se të dërgohet ndonjë ndihmë tjetër në Rripin e Gazas.
Protestat kanë vazhduar prej ditësh dhe janë organizuar nga familjet e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza. Të dielën, protestuesit përsëri bllokuan autokolonat pavarësisht nga pritshmëria që policia izraelite do të pengonte protestat për të lejuar funksionimin e kalimit.
Kamionët me ndihma megjithatë, mbeten të parkuar disa qindra metra larg protestuesve.
Të mërkurën, vetëm nëntë kamionë kaluan në Gaza përmes Kerem Shalom për shkak të protestave, ndërsa kalimi mbeti i mbyllur të enjten dhe të premten për shkak të protestuesve që bllokuan hyrjen, sipas Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare të Izraelit në Territore (COGAT). Kufiri u mbyll të shtunën për Shabbat.
Të dielën e kaluar, 139 kamionë me ndihma u inspektuan dhe kaluan përmes Kerem Shalom, sipas COGAT.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) të shtunën paralajmëroi për pasojat e rënies së aksesit humanitar në pjesë të Gazës dhe bllokimin e ndihmave në vendkalim.
“Paaftësia për të dërguar ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore do të përkeqësojë situatën tashmë të rëndë humanitare të atyre që kanë nevojë për ndihmë,” tha OCHA në një deklaratë./OraNews